Fisnik Ismaili: Mund ta vizitojë Kurtin, por ai s’ka fije respekti kur njerëzve ju vdesin të afërmit e tyre

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë ditës së sotme është shtruar në QKUK pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore.

Në fillim ishte dyshuar për grip sezonal, por pas daljes së rezultateve të analizave është parë se bëhet fjalë për një infeksion në mushkëri.

“Bëhet fjalë për një infeksion në mushkëri por jo diçka serioze siç kemi dyshuar në fillim”, ka thënë për Ballkani.info, kryetari i degës së LVV-së në Prishtinë, Arben Vitia.

Për gjendjen shëndetësore të Kurtit janë interesuar edhe figura të larta nga skena politike, përfshirë këtu kryeministrin Haradinaj dhe Ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismailin.

Ballkani.info ka kontaktuar me deputetin e PSD-së, Fisnik Ismailin për të kuptuar nëse ndonjë ish bashkëpartiak i Kurtit e ka vizituar atë ose e ka telefonuar.

Ismaili ka thënë se deri më tani nuk ka qenë në dijeni se bëhet fjalë për infeksion në mushkëri, pasi që sipas tij në media e ka kuptuar se Kurti ka grip sezonal dhe nëse do të ishte vetëm grip, nuk do të interesohej që të shkonte në vizitë.

“Tani po e kuptoj që bëhet fjalë për infeksion, deri më tani kam kuptuar se Kurti ka vetëm grip sezonal dhe jo diçka serioze”, ka thënë Ismaili për Ballkani.info.

“Për një njeri i cili nuk ka shkuar tek ish bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, në varrim të prindërve të tyre, si mundeni të më pyesni mua a kam shkuar të vizitojë një njeri me grip, pasi që unë kam qenë në dijeni që Kurti ka vetëm grip dhe jo diçka më shumë. Ju po më pyesni për një njeri, i cili kur bashkëpunëtorëve të tij iu kanë vdekur të afërmit, nuk ka shkuar as në varrim as në të pame, e këtë gjë ia ka ndaluar edhe aktivistëve të tij. Pse nuk u pyet më herët Albin Kurti pse nuk ishte në varrim kur i vdiq babai Visar Ymerit, ose halla Qëndron Kastratit, pra të gjithë ish kolegë të ngushtë të tij. As Albini, as të tjerët nuk kanë marrë pjesë në varrimin e nënës së aktivistit tonë, Trimit. Mendoj që më të rëndësishme janë këto pyetje sesa të më pyesni mua a do ta vizitoj një njeri me grip, i cili nuk ka fije respekti kur njerëzve ju vdesin të afërmit e tyre”, ka thënë Ismajli për Ballkani.info.

Tutje, Ismajli ka thënë se tani është njoftuar që bëhet fjalë për diçka më shumë se grip sezonal, pasi që gjatë ditës ka qenë në Gjykatë.

“Unë tash po kuptoj që po bëhet fjalë për diçka më shumë se grip sezonal, pasi që gjatë ditës kam qenë në Gjykatë për t’u gjykuar për diçka me e përkrahë Albin Kurtin, gjë kjo për të cilën ai më ka poshtëruar mua tash e një vit”, ka thënë tutje Ismaili.

Në fund, deputeti nga radhët e PSD-së ka thënë se nëse gjendja e Kurtit do të përkeqësohej, ai do të shkonte në vizitë.

“Po e them prap, deri më tani nuk kam qenë në dijeni për gjendjen e tij, por nëse gjendja e tij do të përkeqësohet, unë prap bëhem më burrë dhe do ta vizitoj por nuk e harroj kurrë që ai njeri nuk ka shkuar në varrim të prindërve të njerëzve më të rëndsishëm të cilët i ka pasur shokë të ngushtë”, ka përfunduar Ismaili për Ballkani.info.

Kujtojmë se Ismaili dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, tashmë janë pjesë e Partisë Social Demokrate, kurse kanë qenë pjesë e partisë së Albin Kurtit deri para një viti.