Fahrije Hoti i bashkohet Vjosa Osmanit për zgjedhjet e 7 qershorit

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se Fahrije Hoti, i është bashkuar rrugëtimit politik të saj, për zgjedhjet e  7 qershorit.

Në postimin e saj në Facebook, Osmani tha se heroina e gjallë e këtij vendi, do të bëhet deputete e Kuvendit, me besimin e përbashkët për një Kosovë, “ku dashuria e mund urrejtjen, integriteti dhe puna e ndershme e mundin manipulimin, dhe e vërteta e mund propagandën.”

Një heroinë e gjallë në Kuvendin e Kosovës!

Kur një grua vendos të ngrihet, ajo e bën këtë për të gjithë.

E fortë si guri, e pastër si loti, punëtore si askush tjetër, krah i përhershëm për gratë, për Krushën dhe për gjithë Kosovën – e pas 7 qershorit, Fahrije Hoti, deputete e Kuvendit, në përfaqësim të secilit prej jush.

Fahrija po i bashkohet rrugëtimit tonë politik, sepse ne besojmë në një Kosovë ku dashuria e mund urrejtjen, integriteti dhe puna e ndershme e mundin manipulimin, dhe e vërteta e mund propagandën.” – shkroi Osmani.

Në fund, ajo tha se me dinjitet, do ta dëshmojnë forcën e tyre.

“Këtë forcë e kemi dëshmuar bashkë edhe përballë Vuçiçit në Këshillin e Sigurimit, në Parlamentin Evropian dhe kudo tjetër — me dinjitet, me të vërtetën tonë, me zërin e grave që nuk heshtin.

Do ta dëshmojmë sërish, bashkë.

Na priftë e mbara, e dashur Fahrije! ♥”