Enzo Fernandez i përgjigjet trajnerit të Spanjës: Kush është më i miri do ta shohim në fushë

“I kemi 6 mesfushorët më të mirë në botë”. Kështu u shpreh trajneri i Spanjës, Luis De la Fuente, në konferencën për shtyp, për të motivuar ekipin e tij. Tradita spanjolle në prodhimin e mesfushorëve të klasit botëror është e padiskutueshme, por në vende të tjera ka nga ata që mund ta kenë marrë këtë deklaratë si sfidë.

Nuk është ky rasti i Enzo Fernandez, kampion bote në fuqi me Argjentinën dhe një nga protagonistët kryesorë të Botërorit të Katarit 2022. I pyetur nga një gazetar për deklaratën e De la Fuente, mesfushori u përgjigj: “Nuk dua të hyj në polemika. Kush është më i mirë apo më i dobët, do ta shohim në fushë”.

Në të njëjtën kohë, lojtari i Chelsea pranoi vlerat e kundërshtarëve: “Spanja ka një nga repartet më të mira të mesfushës në botë, sepse ka lojtarë të mëdhenj në atë zonë”.

Më pas foli edhe për paraqitjen e Argjentinës: “E menaxhuam shumë mirë ndeshjen kundër Algjerisë. Austria ka lojtarë cilësorë. Vapa ta ul avantazhin fizik, por zhvilluam një ndeshje të madhe, edhe pse ka momente kur duhet të mbrohesh”.

Fernandez shpjegoi edhe rolin që i kërkon trajneri Lionel Scaloni: “Ai më kërkon të luaj, të futem në zonë dhe të arrij pranë portës. Ky është roli që po më beson tani, e kam bërë edhe në të kaluarën. Ndihem shumë mirë, edhe me shokët e skuadrës. Duhet të lëvizim gjithmonë në funksion të topit, sepse kemi një mënyrë loje shumë të rrjedhshme, e cila është baza e futbollit tonë”.

 

The post Enzo Fernandez i përgjigjet trajnerit të Spanjës: Kush është më i miri do ta shohim në fushë appeared first on Telesport.