Energjia diellore, potencial jo aq i shfrytëzuar në Kosovë

Abdullah Mëziu nga fshati Morinë i komunës së Skenderajt, ka ndërtuar një sistem të thjeshtë me panele solare (diellore).
Pllakat me sipërfaqe prej 6 metrash katrorë, të cilat i kanë kushtuar vetëm 420 euro, i ka vendosur në një mekanizëm në formë parabolike, në një qosh mbi çatinë e shtëpisë. Mekanizmi, i cili prodhon energji termike me kapacitet prej tre kilovatësh (3kWh), funksionon me një elektromotor dhe me senzorë që përcjellin rrezet e diellit.
Mëziu, i cili ka dy vjet që ka lidhur bojlerin e ujit me sistemin solar termik, thotë se për ngrohjen e ujit, energjinë elektrike e shfrytëzon vetëm dy muaj, gjatë gjithë vitit.
“Nxehtësia, e cila vjen nga rezervuari kryesor që ngrohet nga sistemi solar, ajo nxehtësi, vjen – pra uji i nxehtë vjen dhe futet në bojler. Pra, në vend se të futet uji i ftohtë do të futet uji i ngrohtë dhe për shkak se kur futet uji i ngrohtë termostati nuk ka nevojë të ndizet, kursehet rryma si pasojë e ujit të ngrohtë që vjen nga sistemi solar. Do të thotë, bojleri për 10 muaj të vitit nuk ka nevojë të funksionojë fare. Pra, termostati i bojlerit nuk ndizet fare, për shkak se nuk ka nevojë, sepse i vjen ujët e ngrohtë nga lart. Kështu që ky është kursim i energjisë elektrike”, shpjegon ai.
Me dy radiatorë për ngrohje, të vendosur në korridorin e shtëpisë së tij e të lidhur me pllakat solare, ai ka testuar me sukses edhe sistemin për ngrohje, duke shfrytëzuar rrezatimin diellor.
46-vjeçari, i cili ka studiuar Elektroteknikë dhe Fizikë Termodinamike, planifikon që në të ardhmen t’i largojë nga përdorimi lëndët djegëse për ngrohje.
“Nëse çdo ditë do të ketë diell, ose të paktën një ditë po, një ditë jo, atëherë unë nuk do të kem nevojë fare për lëndë djegëse. Do ta rris kapacitetin e sipërfaqes solare, dhe rritja e sipërfaqes solare nënkupton rritjen e kapacitetit të nxehtësisë”, thotë me optimizëm Mëziu.
Pasi kanë parë punën e tij, Mëziu thotë se shumë njerëz janë interesuar që të njëjtin sistem ta kenë në shtëpitë e tyre dhe tashmë ai ka punuar në disa shtëpi tjera.
Ai beson se pozita gjeografike dhe relievi i saj, i japin Kosovës potencial të mjaftueshëm për prodhim energjisë termike nga rrezet e diellit.
“Ne kemi kodra të mjaftueshme të pashfrytëzuara dhe ka mundësi të mbulohet ajo sipërfaqe e pashfrytëzuar nëpër kodra në një periferi të një lagje apoperiferi të një qyteti dhe përmes dy gypave të furnizohet (me ngrohje) tërë lagjja apo tërë qyteti. Kjo është punë që mund të realizohet, përmes gypave të ngrohjes qendrore apo edhe përmes ventilimit”, thotë Mëziu.
Edhe njohësi i fushës së energjisë së ripërtërishme, Hamdi Malushaj, konsideron se Kosova është vend i përshtatshëm për prodhim të energjisë elektrike dhe termike nga ajo solare. Sipas tij, Kosova hyn në zonën e dytë me potencialin më të madh solar në Evropë.
“Kosova është një vend shumë i përshtatshëm, sidomos me rajonin është gjithsesi i barabartë, mirëpo ka përparësi të relievit gjeografik që është në zonën e dytë me përparësi ndaj Evropës Qendrore, ku kanë pasur shumë sukses investimet dhe instalimet e pllakave fotovoltaik (photovoltaic) dhe atyre të prodhimit të energjisë termike”, shpjegon Malushaj.
Duke iu referuar analizave dhe studimeve nga institucione të ndryshme relevante të fushës, Malushaj thotë se Kosova ka një mesatare të mirë të ditëve me diell brenda një viti.
“Kosova ka dikur 250 ditë me diell (në vit), një mesatare e mirë. I ka diku 1200-1400 vat/orë për metër katrorë prodhim të energjisë nga dielli”, tregon Malushaj.
Ky potencial, sipas tij, nuk është duke u shfrytëzuar për shkak të problemeve që ka Kosova, me rregullativën ligjore në fushën e energjisë.
“Kemi ngecje në marrjen e vendimeve nga institucionet e shtetit, e sidomos nuk është bërë asgjë ose s’di çfarë kanë mundur të bëjnë ose çfarë faze janë për t’u mundësuar investitorëve të vegjël, ekonomitë familjare dhe fabrikat e ndryshme, që do të mund të kontribuonin shumë në këtë fushë. Nuk ka rregullativë ligjore që garanton mundësinë e shitjes apo kyçje në rrjet ose nuk ka rregullativë ligjore që i subvencionon ose s’kemi asnjë vendim që prodhuesit e vegjël mund të merren me këtë punë”, shton ai.
Me gjithë mundësitë, Malushaj vlerëson se Kosova ka mungesë investimesh në fushën e energjisë rigjeneruese.
Ajri i ndotur, i rrezikshëm për shëndetin e njeriut, si pasojë e djegies së druve, naftës, peletit dhe thëngjillit për ngrohje, është një prej problemeve, me të cilat përballen shumë qytete në Kosovë, gjatë sezonit të dimrit.
Ndërsa, edhe termocentrali me thëngjill, në Obiliq, llogaritet një prej ndotësve të mëdhenj të ajrit në këtë qytezë dhe komunat përreth./evropaelire/