Vendosjen e emrit të Isa Boletinit dhe Zoran Gjingjiqit në një shtizë në Mitrovicën e Veriut, e ka cilësuar të papranueshme ish-presidentja Vjosa Osmani.
Heroi shqiptar nga Mitrovica, Isa Boletini është barazvlerësuar me kryeministrin e vrarë të Serbisë, Zoran Gjingjiqin nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje me Albin Kurtin që dikur e akuzonin ish-politikanin serb për përpjekje për ndarje të Kosovës.
Partia në pushtet vendosi që në të njëjtën shtyllë në hyrje të Mitrovicës së Veriut të vendoste emrin e heroit Isa Boletini dhe në tjetrin atë të Zoran Gjingjiqit.
Këtë situatë, Vjosa Osmani e ka quajtur të papranueshme derisa ka bërë thirrje që të përmirësohet shumë shpejt ky gabim.
“Është e papranueshme. Nuk e kaë vendin në të njëjtën shtizë. Natyrisht që Isa Boletini heroi ynë kombëtar ka bërë aq shumë për Kosovën, aq shumë për kombin shqiptar sa që brez pas brezi fëmijët tanë, nipa e mbesa duhet të mësojnë për këtë kontribut të tij historik e të familjes së tij. Nuk e ka absolutisht vendin aty bashkë me emrin e Zoran Gjingjiq. Megjithatë është gabim i cili duhet të përmirësohet shumë shpejt nga institucionet”, tha Osmani në një deklarim për Ulpianapress.

Në një opinion të botuar më 15 janar 2009, Albin Kurti akuzonte se Gjingjiq synonte ndarjen e shpejtë të Kosovës dhe Bosnjës.
“Gjingjiq synonte ndarjen e shpejtë të Kosovës dhe Bosnjes dhe integrim të shpejtë të Serbisë në NATO dhe BE. Ai besonte që Serbia mund t’ia kthejë shpinën Rusisë dhe të rifitojë respektin e dikurshëm të Jugosllavisë. Gjingjiq duke besuar se kishte bërë histori me Serbinë nuk po e kuptonte se Serbia do të bënte histori me të”, shkruante Kurti në këtë opinion.
“Serbia e pat lindur Milosheviqin për t’u radikalizuar dhe e pat zëvendësuar atë me Koshtunicën për të mos u izoluar. Gjingjiqi ishte motori i këtij ndërrimi të cilin e ndalën sepse punonte shpejt. Më 5 tetor 2000, Serbia e kishte ndërruar pushtetin që të mos ndryshohej si shtet”, shkruante Kurti në opinionin me titull “Gjumi i thellë dimërorë i politikanëve shqiptarë”.
Reagime për vendosjen e emrave të tyre bashkë pati gjithandej, kështu duke u pasuar të enjten me largimin e tabelës me emrin e Gjingjiqit.
Tabela me emrin e Zoran Gjingjiqit, e cila u vendos dje në Mitrovicën e Veriut pranë tabelës me emrin Isa Boletini, është larguar sot në mëngjes nga vendi ku ishte vendosur, afër rreth rrotullimit në hyrje të qytetit./Paparaci

Hiqet tabela me emrin e Gjingjiqit në Mitrovicën e Veriut, mbetet ajo me emrin e Isa Boletinit








