Ekstradohet nga Spanja për në Kosovë i kërkuari me urdhërarrest ndërkombëtar

Një shtetas i Kosovës, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”, është ekstraduar nga Spanja në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, e cila njofton se ekstradimi është realizuar të mërkurën, në bashkëpunim me autoritetet spanjolle dhe institucionet e drejtësisë.

“Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, me datën 06.08.2026 ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Spanja për në Kosovë”.

Sipas Policisë, i dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet spanjolle pasi kërkohej përmes INTERPOL-it me letër-rreshtim ndërkombëtar, të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.

“I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet spanjolle pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar, të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, thuhet në njoftim.

Policia bën të ditur se ekstradimi është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Spanjës.

Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive kompetente të Policisë së Kosovës në Rajonin e Prishtinës për procedurat e mëtejshme ligjore.

“Policia e Kosovës do të vazhdoj me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore,  shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftim./Klankosova.tv