Serbia ka nisur fushatë të egër ndaj shqiptarëve të komunës së Medvegjës. Mijërave prej tyre u janë fshirë adresat e vendanimeve në regjistrat civil. Një gjë e tillë u ka pamundësuar atyre edhe nxjerrjen e leternjoftimëve.
Beogradi ka nisur tash e një kohë fushatë të egër ndaj shqiptarëve në Medvegjë, shkruan lajmi.net.
Janë diku mes 2-3 mijë shqiptarëve të cilëve u janë fshirë adresat e vendbanimeve në regjistrat civil.
Si pasojë, asnjëri prej tyre nuk ka mundur të nxjerrë leternjoftime të Serbisë, dhe si rrjedhojë e të cilës ata nuk kanë mundur të udhëtojnë nëpër shtete të treta përmes Kosovës, nga ku janë kthyer në kufi.
A.O nga Medvegja ka treguar për lajmi.net se arsyetimi i shtetit serb për një veprim të tillë, është se kinse shqiptarët nuk kanë qenë në shtëpitë e tyre kur është kryer procesi i verifikimit.
“Në komunë të Medvegjës janë një numër i madh i fshatrave shqiptare. Popullsia e shqiptarëve dhe serbëve nuk është aq e madhe. Në Regjistrin Civil, ata po ua fshinë komplet adresat e vendbanimeve shqiptarëve, me arsyetimin se jemi kanë me iu verifiku edhe s’jeni kanë këtu. Janë diku rreth 2, 3 mijë shqiptarë që iu kanë fshi vendbanimet dhe janë mbet vec me pasaporta”, rrëfen A.O për lajmi.net.
Shqiptarët e Medvegjës të cilëve iu fshinë adresat e vendbanimeve, u prekën edhe nga vendimi i marrë nga autoritetet e Kosovës, nga ku që gati një javë nuk po i lejojnë shtetasit serb të udhëtojnë përmes Kosovës me pasaporta.
Të njëjtëve, po u kërkohen leternjoftimet e lëshuara nga shteti serb. Ky vendim nga autoritetet e Kosovës ishte marrë pa ndonjë paralajmërim, gjë që i kishte zënë në befasi edhe shqiptarët të cilët kishin shkuar për pushime në vendet e rajonit.
A.O rrëfen për lajmi.net, se si qindra shqiptarë janë kthyer në kufi me Kosovën, e qindra të tjerë kanë mbetur në vendet ku kishin shkuar për t’i kaluar pushimet.
Ai tregon se si janë detyruar të nxjerrin ekstra biletë nga Shkupi për t’u kthyer në shtëpitë e tyre në Serbi.
“Të gjithë atyre personave që kanë shkuar për pushime në Durrës, vendimi është marrë brenda natës, dhe s’kanë mundur me hy në Kosovë, janë detyruar të kthehen përmes Shkupit. Ne shkuam deri në Banjë të Sijarinës dhe nuk mundëm me u kthy në shtëpi. Në Beograd s’e kemi këtë problem sepse s’mund të na verifikojnë”, tregon A.O.
Në gjithë këtë situatë, rrëfen ai, qëllimi është që shqiptarët të paraqiten se janë nën 5 përqind, dhe si të tillë t’u pamundësohet dygjuhësia dhe shkollimi shqip.
Vendimi në fjalë është marrë vetëm për shqiptarët e Medvegjës e jo për ata të Preshevës, pasi që shumica e policisë të kësaj komune janë shqiptarë dhe nuk mund të kryhet verifikimi i tyre.
Sipas A.O, nëse ndërrohet kombësia e Policisë, shteti serb do të veprojë njëjtë edhe me shqiptarët e Preshevës.
“E kanë pru një situatë që me e pru numrin e shqiptarëve nën 5 për qind, mos me pas të drejtë dy gjuhësi dhe as shkollë as kurgjo hic. Lugina e Preshevës e ka policinë e vetë, dhe nuk mund t’i detyrojnë të shkojnë të verifikojnë. Edhe atyre me ua ndrru policinë, ua fshijnë vendbanimin”, ka thënë ai.
Vendimi i autoriteteve kosovare, rrëfen A.O, është marrë brenda natës dhe i ka zënë në befasi ata, duke u shkaktuar probleme të pabesueshme.
Ai thotë se nga ky vendim janë prekur vetëm shqiptarët, pasi që sipas tij, serbët kanë letërnjoftime dhe pasaporta, gjë që ua mundëson atyre udhëtimin përmes Kosovës.
Informacionet tjera janë se ka shumë shqiptarë nga Medvegja të cilët kanë mbetur në Shqipëri e Mal të Zi, dhe të cilët nuk po mund të kthehen si pasojë e vendimit të marrë nga autoritetet kosovare.
Kujtojmë, se autoritetet kosovare morën vendim për masa reciproke ndaj Serbisë, duke mos ua njohur pasaportat në rastet kur udhëtohet përmes territorit të Republikës së Kosovës.
Në këtë formë, të gjithë shtetasit serb që dëshirojnë të udhëtojnë përmes Kosovës, nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë me pasaportë, por vetëm me leternjoftim.
Ndërkohë, nuk dihet nëse autoritetet kosovare janë në dijeni për veprimet e shtetit serb ndaj shqiptarëve në Medvegjë.