Pas dorëheqjes nga posti i drejtorit teknik të kombëtares axurre dhe presidentit të “Club Italia”, ish-kapiteni i Milanit foli për herë të parë mbi atë që ndodhi gjatë javëve të fundit, duke nisur nga “po”-ja e tij për Malagò:
“Më telefonoi në Pashkë, duke më thënë: Ekziston mundësia që të bëhem president i FIGC; ti je personi që do të doja ta kisha me vete. Unë i dhashë gatishmërinë time. Në futboll, për mua ekzistojnë vetëm dy gjëra: Milani dhe kombëtarja. Pastaj nuk e dëgjova më. Një ditë para zgjedhjeve, Malagò telefonoi përsëri: Nesër votohet, kam mundësi të mira, do të doja të ishe në bord. I përgjigjem: Le të flasim”.
Një bisedë që në fund çoi në një marrëveshje mes të dyve: “Më kërkoi të bëhesha president i ‘Club Italia’. Nuk bëhej fjalë vetëm për ringritjen e kombëtares, duhej të riformonim futbollin italian”.
Një riformatim ku do të përfshihej edhe Leonardo: “Me të ndaj miqësinë, vlerat dhe parimet. Leo ka një aftësi të madhe organizative, përveçse ka mirëkuptim të madh me mua. Kështu nisëm. Dhe menduam për një rol të ri; drejtimin teknik. Drejtoria teknike nuk ka qenë kurrë pjesë e organigramës së kombëtares, trajneri i referohej drejtpërdrejt presidentit. Por kjo nuk ishte e drejtë, trajneri ka nevojë të konsultohet”.
Pas vetëm 16 ditësh, megjithatë, erdhën dorëheqjet e të dyve: “Marrëveshjet u rishikuan; për pasojë, e vetmja gjë që duhej bërë ishte të jepnim dorëheqjen. Madje, të hiqnim dorë nga nënshkrimi i kontratës 4-vjeçare që duhej të niste më 1 gusht”.
Pikë mosmarrëveshjeje ishte zgjedhja e trajnerit të kombëtares. Fillimisht propozimi për Guardiolën, më pas kthesa drejt Pirlos, zgjedhje që Malagò nuk e pranoi kurrë plotësisht: “Fillimisht pyeta: kush e zgjedh trajnerin? Malagò m’u përgjigj: trajnerin e vendosni ju dhe unë e miratoj. Kjo ishte marrëveshja. Më pas ngjarjet bënë që kjo gjë të ndryshonte”.
Tentativa e parë e madhe për postin e trajnerit u bë me Pep Guardiolën: “Është trajneri që mishëron më shumë lojën teknike dhe sulmuese. Përmes disa miqve kishte shprehur idenë për të drejtuar një kombëtare. Shkuam ta takonim në Barcelonë, drekuam së bashku dhe folëm për një ditë të tërë. Ishte shumë i tunduar. Iu afrua shumë pranimit. Madje kishte nisur të shkruante edhe formacione nëpër fletë…”
Më pas erdhi refuzimi i ish-trajnerit të Barcelonës dhe Manchester City: “Për shkak të lodhjes tha jo. Guardiola vjen nga 10 vite rraskapitëse në Premier League. Është operuar në shpinë, dëshiron të pushojë. Gjithsesi ishte një diskutim shumë serioz, studiuam grupet e lojtarëve, nga U17 e lart… Pastaj kaluam tek Andrea. Malagò dinte gjithçka, e informuam hap pas hapi”.
Ndërsa për pretendimin se Guardiola kërkonte 20 milionë euro pagë, Maldini e mohon: “Absolutisht jo. Paratë nuk kanë qenë kurrë temë. Pep na tha qartë: më jepni një euro më pak se ajo që merrte trajneri i fundit dhe për mua është në rregull”.
Pasi u mbyll ëndrra “Guardiola”, zgjedhja e Maldinit dhe Leonardos ra mbi Andrea Pirlo: “Ne donim një trajner të ri, që të përqafonte projektin dhe të kishte karrierë të nivelit të lartë. Teknikisht, kur flas me Pirlon, e gjej shumë të përgatitur. I shoqëruar dhe i mbështetur nga një drejtor teknik dhe një këshilltar, do të ishte trajneri ideal”.
Opsioni nuk u konkretizua kurrë për shkak të një marrëveshjeje të mëparshme të Pirlos me një kompani ruse bastesh: “Kjo gjë sigurisht që ndikoi. Ne nuk e dinim. Opinioni publik bëri punën e vet, por nuk kishte asgjë në planin juridik që mund ta pengonte Andrean të bëhej trajner i kombëtares”.
Sipas Maldinit, kjo situatë u përdor si pretekst për të mos zgjedhur ish-trajnerin e Juventusit: “Me siguri u përdor në mënyrë absolutisht të ekzagjeruar. Pirlo ishte i gatshëm të ndërpriste marrëdhëniet me kompaninë ruse të basteve. Është një person shumë korrekt, nuk e meritonte këtë bujë. Nxorën Kodin Etik, Dekretin e Dinjitetit. Por, nëse do të kishte ekzistuar vullneti real për ta firmosur si trajner të kombëtares, nuk do të kishte pasur pengesa ligjore”.
Mes alternativave ishin edhe Daniele De Rossi dhe Fabio Grosso: “Tre kampionë bote. Presidenti na tha se, bazuar në marrëveshjet që e çuan drejt zgjedhjes, me mbështetjen e të gjitha klubeve, përveç Lazios, ne nuk mund t’i preknim trajnerët e skuadrave të Serie A. Prandaj De Rossi dhe Grosso ishin të përjashtuar”.
Për bisedën me Malagò, shtoi: “Ai telefonoi mua dhe Leonardon për të thënë: Sipas meje, Pirlo nuk mund të merret më. Nga sot trajnerin e vendos unë. Nga sot ndryshojnë rregullat: unë vendos trajnerin e kombëtares dhe ju e miratoni. Por, nëse kam një detyrë, nëse kam një përgjegjësi dhe synoj ta ushtroj, kjo është e papranueshme. Morëm 24 orë kohë dhe paraqitëm dorëheqjet tona, për një kontratë që ende nuk kishte nisur. Nuk e di nëse kjo do të thotë të jesh i pakompromis dhe arrogant. Unë jam mësuar ndryshe. Nuk ekzistonin më kushtet e besimit për të kryer një punë që është e jashtëzakonshme, por në të njëjtën kohë emocionuese”.
Më pas, për Malagò, nënvizoi: “Kishte një marrëdhënie të bazuar te besimi. Nëse bën një zgjedhje, pastaj duhet ta mbrosh. Nëse tregon atë që mendoje të krijoje, zgjedhja kuptohet pak më shumë. Le ta krahasojë me kampionatin italian të 20 apo 30 viteve më parë”.
Plani i Maldinit dhe Leonardos parashikonte një revolucion të gjithanshëm: “Ne kishim filluar tashmë. Ishim në ‘Coverciano’. Është një makineri e ndaluar. Ka shumë njerëz që duan të bëjnë diçka, por nuk dinë çfarë të bëjnë. Presin një objektiv, udhëzime. Takimi me ta na dha shumë energji, në një rol që të frikëson”.
Projekti parashikonte “një ndryshim rrënjësor. Metodologji pune krejtësisht të ndryshme, më sulmuese. Formimin e talenteve të rinj. Mbështetjen e gjithë zinxhirit të ekipeve të moshave. Do të bëhesha president i ‘Club Italia’, që përbëhet nga 19 ekipe: ekipet e të rinjve, ekipet e femrave, futbolli në plazh, futsalli…”
Për Mancinin si trajner të kombëtares: “Më thoni nëse unë nuk e vlerësoj Roberto Mancinin, por ne kishim një projekt ndryshe. Donim një trajner të ri, të ri në moshë. Mancini dhe Conte janë dy trajnerë të mëdhenj. Dhe nuk është çështje miqësie”.
Ndërsa për pretendimin se “Lega Serie A” dëshironte Conten si trajner të kombëtares, shpjegon: “Kam folur me Marotta, Percassi, me presidentë dhe drejtues të tjerë dhe askush nuk më ka dhënë një emër. Liga ishte korrekte, madje më garantoi: nëse duhet të ndihmojmë në aspektin ekonomik, ne jemi këtu. Por ata më njohin pak. Nëse duhet të vij këtu dhe dy emra janë zgjedhur tashmë, njëri nga Malagò dhe tjetri nga Liga, çfarë kuptimi ka të më thërrasin? Shumë herë më është garantuar autonomia. Që ata të kishin të preferuarin e tyre, është e kuptueshme. Por nëse kërkon bashkëpunim dhe parashikon një projekt të përbashkët, atëherë duhet ta ndash dhe ta ndërtojmë së bashku”.







