Dua Lipa refuzon të performojë në ndeshjen e Anthony Joshuas

Dua Lipa nuk do të jetë pjesë e eventit të shumëpritur të boksit mes Anthony Joshua dhe Tyson Fury, që synohet të zhvillohet në fund të vitit 2026.

Sipas BBC Sport, artistja 30-vjeçare shqiptare është kontaktuar për të performuar gjatë spektaklit, por ka refuzuar ofertën dhe nuk do të përfshihet në këtë ngjarje të madhe sportive.

Më herët, kreu i Autoritetit të Argëtimit në Arabinë Saudite, Turki Al-Sheikh, kishte lënë të kuptohej se mungesa e saj mund të rrezikonte zhvillimin e ndeshjes, megjithëse mbetet e paqartë nëse deklarata ishte serioze apo në formë batute.

Përballja mes Joshua-s dhe Fury-t konsiderohet si një nga duelet më të shumëpritura në boksin britanik, pas shumë përpjekjesh të dështuara ndër vite për t’i sjellë ata në të njëjtin ring. Dy boksierët kanë rënë dakord në parim për kushtet e sfidës, ndërsa organizatorët po mendojnë që ajo të zhvillohet në muajin tetor në stadiumin “Wembley”.

Në vitet e fundit, eventet e mëdha të boksit janë shoqëruar shpesh me performanca muzikore nga artistë të njohur, duke rritur interesin dhe spektaklin për publikun global. Megjithatë, dueli Joshua-Fury pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha sportive të vitit 2026, me të dy boksierët që synojnë fitime rekord në karrierat e tyre.