“Do t’i mbulojë turpi përjetë”, Haradinaj: Kandidatet të mos bëhen pjesë e shkeljes së Kushtetutës

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka bërë thirrje për mbrojtje të Kushtetutës pas shtyrjes së seancës që ka nisur për zgjedhjen e presidentes, pasi aktualisht janë dy kandidate të propozuara nga Vetëvendosja.

Haradinaj ka thënë se nuk ka rrugë tjetër përveç mobilizimit që të mbrohet Kushtetuta teksa u ka bërë thirrje edhe kandidateve për presidente që të mos bëhen pjesë e shkeljes së Kushtetutës.

“Po na pamundësojnë funksionet në bazë të kushtetutës, nuk kemi rrugë tjetër që të mobilizohemi që të mbrojmë Kushtetutën, besoj se sovrani e bën këtë, e ka bërë këtë në çdo etapë, mund të jenë edhe protesta”, ka thënë Haradinaj.

“Por prapë edhe një herë i thërras vetëdijes e ndërgjegjes që të mos bëhemi pjesë e këtij turpi. Njëkohësisht edhe zonjave që janë kandidate, të ndalen e të mos vazhdojnë të jenë pjesë e këtij turpi”, ka thënë ai.

“Do t’i mbulojë turpi përjetë, nëse bëhen pjesë e dhunimit të Kushtetutës, pasojat do të jenë të përjetshme”, tha veç të tjerash Haradinaj.