Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, ka deklaruar se Kosova rrezikon të mbetet e izoluar nëse nuk arrin të garantojë cilësinë e produkteve, teksa vendet fqinje po avancojnë në procesin e integrimit evropian.
Sipas Mujës, Shqipëria dhe Mali i Zi janë duke ecur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova mund të mbetet “si ishull” nëse nuk përmbush standardet e kërkuara.
Ai hodhi poshtë edhe pretendimet që lidhen me tregtinë e qumështit me Serbinë.
“Me Serbinë nuk tregtojmë qumësht. Po e shoh që po flitet për ‘Moja Kravica’, por me Serbinë as nuk blejmë e as nuk shesim qumësht”, deklaroi Muja.
Muja, ka refuzuar të përgjigjet në pyetjen konkrete në lidhje me praninë ose jo te vajit të palmës në qumështin “Vita”.
Muja ka qenë i ftuar në “Pressing” të T7.
Ai është pyetur se a ka vaj palme në Qumështin “Vita, ndërkaq Muja fillimisht hezitonte të përgjigjej.
“Ato janë mostrat, jo vetëm për Vita. Kemi marrë mbi 400 mostra nga gjithë operatorët për ushqim”.
“Unë nuk kam marrë asnjëherë një raport të kompletuar që po e pres dhe mbi bazën e saj do të merren vendime”.








