Deputeti i zgjedhur i LDK’së, Ermal Sadiku, para nisjes së Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë së tij, tha se do ta respektojë çdo udhëheqësi që del nga Kuvendi i LDK’së.
Por, ai tha se kërkesë e tij e qartë mbetet një: LDK’ja duhet të jetë opozitë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe thotë se ky opozitarizëm duhet të jetë i zëshëm.
Ai tha se e sheh si proces normal dhe “thellësisht demokratik” mbledhjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm sot ku do të votohet për ose kundër që kryetari aktual, Lumir Abdixhiku, të vazhdojë të jetë në krye të partisë.
“I ftoj dhe i lus të gjithë delegatët që të votojnë sipas bindjeve të tyre personale dhe sipas vizionit që secili kandidat paraqet për të ardhmen e LDK-së”, tha ai.
Sadiku tha se e konsideron si qeverinë më të dobët që nga paslufta atë të Vetëvendosjes dhe radhiti një sërë dështimesh, sipas tij, të kësaj partie.
Të parën e listoi dështimin e Vetëvendosjes për të çkapur institucionet e pavarura dhe të dytën dështimin në luftën ndaj korrupsionit.
Sadiku shtoi se tema kryesore e këtij procesi duhet të jetë “jo vetëm se kush do ta udhëheqë partinë”, por “si do të bashkohemi për t’i ofruar Kosovës një alternativë më të mirë dhe për ta sfiduar seriozisht këtë qeverisje”.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Sot, partia që më dha mundësinë të garoj për deputet dhe të cilën e kam zgjedhur për shkak të bindjeve të mia ideologjike, po kalon nëpër një proces të rëndësishëm, por thellësisht demokratik.
Një pjesë e delegatëve kanë kërkuar ndryshim në udhëheqjen e partisë, përkatësisht largimin e kryetarit. Kjo nuk është diçka e pazakontë. Përkundrazi, është një proces normal që ndodh në shumë demokraci evropiane, ku drejtimi i partisë vendoset nga vullneti i delegatëve.
Për këtë arsye, me aq zë sa kam si deputet, i ftoj dhe i lus të gjithë delegatët që të votojnë sipas bindjeve të tyre personale dhe sipas vizionit që secili kandidat paraqet për të ardhmen e LDK-së.
Unë do ta respektoj dhe do ta përkrah çdo lidership që del nga ky Kuvend, sepse ai do të jetë rezultat i një procesi demokratik. Por kam një kërkesë të qartë për secilin që do ta marrë përgjegjësinë e udhëheqjes së partisë:
LDK duhet të jetë një opozitë e zëshme, e guximshme dhe proaktive ndaj pushtetit të Vetëvendosjes.
Jo për arsye personale, as për interesa partiake, por sepse sinqerisht besoj se kjo qeverisje ka qenë e dëmshme për shtetin tonë.
Besoj se ka dështuar:
**1. Në çkapjen e institucioneve, duke i mbushur ato me militantë partiakë dhe në krijimin e një klime ku meritokracia vlerësohet më shumë se përkatësia partiake.
**2. Në luftimin e korrupsionit, duke nënshkruar mbi 3,000 kontrata njëburimore ose me procedurë të negociuar, gjë që ka dëmtuar konkurrencën dhe besimin në prokurimin publik.
**3. Në pavarësinë energjetike, duke mos shtuar kapacitete të reja prodhuese dhe duke prodhuar më pak energji elektrike sesa qeveritë e kaluara.
**4. Në zhvillimin e arsimit, pa arritur përmirësim të dukshëm në rezultatet e PISA-s dhe në matjet e tjera ndërkombëtare të cilësisë së arsimit.
**5. Në shëndetësi, duke dështuar të realizojë reforma thelbësore dhe të përmirësojë shërbimet për qytetarët.
**6. Në marrëdhëniet mes shqiptarëve në rajon, duke dëmtuar raportet me Shqipërinë dhe duke kontribuar në përçarje e polarizim politik mes shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
**7. Në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, duke vazhduar të mbetet ndër vendet e fundit në Evropë.
**8. Në digjitalizimin e shtetit, duke dështuar në ndërtimin e Sistemit Informativ Shëndetësor, Sistemit Informativ të Arsimit, digjitalizimin e administratës publike dhe shumë sistemeve të tjera që do ta bënin shtetin më efikas.
**9. Në mirëmbajtjen dhe zhvillimin e aleancave strategjike, me ndërprerjen e Dialogut Strategjik me SHBA-në, vendosjen e masave nga Bashkimi Evropian, mungesën e anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare dhe vetëm tri njohje të reja gjatë gjashtë viteve.
**10. Në zvogëlimin e deficitit tregtar, i cili sot është më i larti në historinë e Kosovës.
**11. Në ndaljen e largimit të qytetarëve, me mbi 250 mijë njerëz që kanë emigruar që nga ardhja e kësaj qeverie në pushtet.
**12. Në përballimin e inflacionit dhe rritjes së kostos së jetesës, me rritje të ndjeshme të çmimeve pothuajse në çdo produkt dhe shërbim që përdorin qytetarët.
**13. Në projektet kapitale të infrastrukturës rrugore, duke mos përfunduar autostradat për Gjilanin, Pejën dhe Podujevën, si dhe duke mos nisur mirëmbajtjen serioze të autostradave ekzistuese drejt Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
**14. Në projektet tjera strategjike, duke mos ndërtuar asnjë liqen akumulues, stadium kombëtar të futbollit, Teatër Kombëtar, pishinë olimpike, qendra të teknologjisë dhe inovacionit, qendra për Inteligjencë Artificiale dhe shumë projekte të tjera të nevojshme për zhvillimin e vendit.
E shumë e shumë dështime të tjera.
Natyrisht, kjo qeveri ka pasur edhe suksese, ashtu si çdo qeveri tjetër pas luftës. Asnjë qeveri nuk është vetëm e mirë ose vetëm e keqe. Por, kur merren parasysh kohëzgjatja në pushtet, shumica parlamentare që ka pasur dhe mundësitë që i janë dhënë, besoj se në një vlerësim objektiv kjo është qeveria me performancën më të dobët që ka pasur Kosova në periudhën e pasluftës.
Dhe pikërisht kjo duhet të jetë tema kryesore e Kuvendit të LDK-së.
Jo vetëm se kush do ta udhëheqë partinë, por si do të bashkohemi për t’i ofruar Kosovës një alternativë më të mirë dhe për ta sfiduar seriozisht këtë qeverisje.
Ndoshta strategjia është bashkëqeverisja, për t’u treguar qytetarëve se ne dimë dhe mundemi më mirë.
Ndoshta strategjia është një opozitarizëm shumë më aktiv, më i zëshëm dhe më afër qytetarëve.
Ndoshta rruga është krejt tjetër.
Por, pavarësisht strategjisë, së pari duhet ta pranojmë diagnozën. Duhet ta kuptojmë se ku qëndron problemi i Kosovës sot. Jo sepse e them unë apo dikush tjetër,
POR SEPSE FAKTET DUHET TË JENË THEMELI MBI TË CILIN NËRTOJMË VIZIONIN TONË PËR TË ARDHMEN..








