Delegacioni i organizatës Albanians for America (AFA), i përbërë nga Gino Mulliqi, Gëzim Rushiti dhe Janinë Memeti, janë pritur në takim nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Në këtë takim mes tjerash është folur për marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në dhe për çështje strategjike. Siç u njoftua, gjatë këtij takimi delegacioni ka diskutuar me theks të veçantë edhe për gazin amerikan, si mundësi për forcimin e sigurisë energjetike të Kosovës.
“Delegacioni i AFA-së diskutoi gjithashtu për mundësitë e zhvillimit të projekteve strategjike ekonomike dhe energjetike, me theks të veçantë në projektin e gazit të lëngshëm natyror (LNG), si një mundësi për diversifikimin energjetik, forcimin e sigurisë energjetike dhe krijimin e mundësive të reja për investime dhe zhvillim ekonomik në Kosovë”, u tha mes tjerash në njoftim.








