Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke vlerësuar se një qasje e tillë nuk kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Zëdhënësja e BE-së për çështjet e jashtme, Annita Hipper, u pyet në një konferencë për media nëse deklaratat e Vuçiqit dhe një veprim i mundshëm për ndryshimin e rrjedhës së lumit do të mund të ndikonin edhe në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.
“Do ta nis me çështjen kryesore që kemi përpara, që janë deklaratat e bëra. Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit dhe veprimet e mundshme, nuk e mbështesin objektivin për të pasur një marrëdhënie normale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, tha Hipper \.
Ajo rikujtoi gjithashtu se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është një nga kushtet për avancimin e të dyja palëve në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Gjithashtu, rikujtojmë se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që secila palë të përparojë në rrugën evropiane”, shtoi Hipper.
Deklaratat e saj erdhën pasi Vuçiq tha të dielën se Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke e lidhur këtë me, siç pretendoi ai, qëndrimin e autoriteteve të Kosovës ndaj komunitetit serb.
Vuçiq tha se për këtë çështje ka ftuar “ekspertë”, përfshirë “inxhinierë dhe të tjerë”, ndërsa deklaroi se Serbia ka “arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së ujit të Ibrit”.
“Kështu që do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, u tha Vuçiq gazetarëve gjatë një vizite në punimet për ndërtimin e një ure në Beograd.
BE-ja e ka bërë të qartë vazhdimisht se dialogu dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura në kuadër të këtij procesi mbeten thelbësore për përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e tyre evropiane.








