Ndeshja miqësore mes Metz dhe Fortuna Sittard u shndërrua në kaos, pasi një sherr masiv mes futbollistëve përfshiu edhe arbitren Mathilde Demoncay. Arbitrja franceze, 26 vjeçe, u godit gjatë përplasjes dhe ra në tokë, duke pësuar tronditje cerebrale.

Incidenti ndodhi pas një konflikti mes lojtarëve, i cili degradoi shpejt në përleshje të përgjithshme. Në rrëmujën e krijuar, Demoncay u përplas dhe u rrëzua, ndërsa stafi mjekësor ndërhyri menjëherë për t’i dhënë ndihmën e parë.

Pavarësisht se u rikthye për ta përfunduar pjesën e parë, gjendja e saj nuk u përmirësua dhe u zëvendësua në pushimin mes pjesëve. Më pas, ekzaminimet mjekësore konfirmuan se kishte pësuar një tronditje cerebrale.

Pamjet e incidentit kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale, duke shkaktuar reagime të shumta për dhunën e shfaqur në një ndeshje miqësore dhe rrezikun që iu kanos arbitres. Ngjarja ka hapur debat mbi kontrollin e situatave të tilla në fushën e lojës dhe mbrojtjen e zyrtarëve të ndeshjes.



The post Çmenduri në miqësore, sherr masiv me arbitren që përfundon në tokë. Pamje tronditëse nga fusha appeared first on Telesport.








