Burim Ramadani: Mungesa e barnave esenciale mbetet shqetësim, emergjenca ka nevojë për më shumë mbështetje

Kandidati për deputet nga Aleanca, Burim Ramadani, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me Debatik Shalën, punonjës në Shërbimin Mjekësor Emergjent, me të cilin ka diskutuar për sfidat në sektorin e shëndetësisë.

Ramadani ka treguar historinë e veçantë të Shalës, i cili në vitin 2013 ishte diagnostikuar me leukemi akute dhe shërimin e kishte mundësuar falë mbështetjes së qytetarëve dhe diasporës së Kosovës. Si shenjë mirënjohjeje ndaj popullit, ai sot shërben në Shërbimin Mjekësor Emergjent, duke kontribuar në ndihmë të qytetarëve.

Sipas Ramadanit, një nga shqetësimet kryesore të ngritura gjatë takimit ishte mungesa e barnave që bëjnë pjesë në listën esenciale, e cila, sipas tij, nuk do të duhej të përballej me mungesa.

Ai ka theksuar se synimi i Aleancës është që, përveç sigurimit të barnave esenciale, të punohet edhe në përmirësimin e kushteve të punës për stafin mjekësor përmes pajisjeve moderne dhe trajnimeve shtesë, me fokus të veçantë në sektorin e emergjencës.