Kandidati për deputet nga PDK-ja, Arben Gega, ka publikuar një video mesazh ku thekson se qytetarët janë lodhur nga premtimet e vazhdueshme politike për vende pune, duke kërkuar më shumë fokus te investimet dhe zhvillimi ekonomik.
Sipas tij, politika duhet të ofrojë zgjidhje konkrete për ekonominë, e jo vetëm premtime që përsëriten në çdo palë zgjedhje.
“Nuk vij në politikë për të premtuar punë. Vij nga sektori privat, aty ku puna krijohet realisht”, thotë Gega në videon e publikuar në rrjetet sociale.
Ai thekson se përvoja e tij në biznes i ka dhënë njohuri të drejtpërdrejta për sfidat me të cilat përballen investitorët dhe punëdhënësit, duke nisur nga sigurimi i tregut e deri te përgjegjësia për pagat dhe mirëqenien e familjeve që varen nga ato vende pune.
“Kam nisur biznese. Kam investuar dhe investoj, duke punësuar njerëz. E di çfarë do të thotë përgjegjësia për paga, familje dhe ekonomi”, shprehet ai.
Gega vlerëson se Kosovës i nevojiten më shumë investime, më shumë mbështetje për bizneset vendore dhe politika që krijojnë mundësi të reja zhvillimi ekonomik. Ai shton se Kuvendi duhet të përfaqësohet nga njerëz që kanë krijuar vlera reale në ekonomi dhe që i njohin nga afër sfidat e sektorit privat.
Arben Gega është kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe në zgjedhjet e 7 qershorit garon me numrin 68.









