Vullnet Bugaqku, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha se përgjegjësia për formimin e institucioneve bie mbi partinë e parë të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit.
Në Edicionin Special në Klan Kosova, ai u shpreh se deputetët e LVV-së po e shkelin rendin kushtetues me mos-thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive për ditën e sotme.
“Sot, fatkeqësisht, deputetët e shumicës parlamentare, po e pamundësojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe po e shkelin rendin kushtetues sepse nuk po e përmbushin detyrimin dhe mandatin kushtetues që e kanë, dhe primatin që e kanë si parti fituese”.
Ai tha se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit “është i detyrueshëm, me të cilin nuk do të duhej fare të kalkulohej në mënyrë politike”.
Sipas tij, kjo situatë është e paprecedent, rast i pazakontë jo vetëm në Kosovë, por edhe në çdo vend demokratik në botë.
“Nëse sonte këta deputetë dështojnë të konstituojnë Kuvendin, dhe siç po shihet kjo do të ndodhë, nga nesër, çfarëdo seance apo çfarëdo vendimi që do të prodhohet në Parlamentin e Kosovës, qoftë për zgjedhjen e kryetarit apo nënkryetarëve, unë mendoj se ai vendim është i kontestueshëm”, theksoi Bugaqku.
Ai shtoi se çdo vendimmarrje qo do të merret nesër, ai duhet të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese.








