Edhe Donald Trump ka kritikuar ashpër çmimet shumë të larta të biletave për Botërorin 2026, duke deklaruar se as ai nuk do t’i paguante 1.000 dollarët e nevojshëm për të parë SHBA-në në ndeshjen hapëse ndaj Paraguajit muajin e ardhshëm.
“Nuk isha në dijeni të atij çmimi. Sigurisht që do të më pëlqente të isha aty, por, të them të drejtën, as unë nuk do ta paguaja atë shumë”, – tha presidenti amerikan në një intervistë telefonike për “New York Post”. SHBA do ta nisin rrugëtimin në Botëror më 12 qershor në stadiumin “SoFi Stadium” të Los Angeles, përballë Paraguajit. Çmimet e biletave nisin nga rreth 1.000 dollarë.
“Nuk kisha marrë ende informacion për këtë, por duhet ta shoh”, – shtoi Trump, duke u shprehur i zhgënjyer nga fakti që amerikanët e klasës punëtore, pjesë e bazës së tij elektorale, mund të mos kenë mundësi t’i ndjekin ndeshjet për shkak të çmimeve të papërballueshme.
“Do të doja që njerëzit që më kanë votuar të kishin mundësinë të ishin aty”, – deklaroi presidenti, duke theksuar gjithsesi se Botërori po rezulton “një sukses i jashtëzakonshëm”.
The post Botërori, edhe Trump kundër çmimeve të larta të biletave: “As unë nuk do t’i paguaja ato shifra” appeared first on Telesport.









