Blloku B2 kthehet në funksion pas orës 20:00

Korporata Energjetike e Kosovës, njofton të gjithë qytetarët se për shkak të disa problemeve teknike në orët e hershme të mëngjesit është detyruar ta ndalë nga prodhimi “Bllokun B2” të Termocentralit “Kosova B” i cili prodhon 250 MW/h.

Ndalja e kësaj ndjesie gjeneruese është bërë për qëllime preventive për të evitua rreziqet më të mëdha që mund të shkaktohen nga disa probleme të vogla dhe për të parandaluar ndonjë avari e cila mund të ketë pasoja të mëdha.

Defekte të tilla teknike në blloqet e termocentraleve të KEK-ut nga ku prodhohen sasi të mëdha të energjisë elektrike janë krejtësisht normale dhe paraqiten herë pas herë, por është shumë me rëndësi të dihet se ekipet kujdestare, inxhinjerët dhe stafi tjetër teknik i mirëmbajtës dhe kontrollit janë të detyruar të intervenojnë menjëherë dhe të ndalin blloqet kur paralajmërohen rreziqe në ndonjë nga pajisjet.

Në situata të tilla, ashtu sic ngarkohet me përgjegjësi KEK-u, menjëherë kur janë paraqitur këto probleme teknike ka njoftuar të gjithë akterët e fushës se energjisë në vend dhe sipas obligimeve dhe përgjegjësisë qe kanë operatorët të gjinden alternativa tjera të furnizimit për të mos i lenë qytetarët pa energji elektrike.

Në bazë të rregullave të tregut dhe obligimeve kontraktuale në mes të operatorëve të licencuar, KEK-u është i detyruar që të mbuloj dëmet financiare ndaj operatoreve tjerë në treg, të cilët kanë obligim te furnizojnë konsumatorët me energji elektrike, mirëpo duhet të sqarohet se KEK-u nuk mbanë asnjë përgjegjësi për furnizim.

Ndryshe, ekipet e mirëmbajtës së KEK-ut janë mobilizuar nga orët e para të mëngjesit dhe po japin maksimumin e tyre që kjo njësi të kthehet ne pune brenda një afati rekord qe parashihet sonte pas orës 20:00.