“Ajo çka mëson nga një jetë në shkencë është pafundësia e injorancës sonë.”
Cit.: Dr. David Eagleman
Miqtë e mi, e mbani mend debatin mbi grupin e gjakut dhe COVID-19?
Shumë persona u panikosën, pasi ishin me grup gjaku A pozitiv, megjithëse në praktikë klinike nuk po e vinim re një gjë të këtillë.
Një studim i sapobotuar në JAMA (Journal of the American Medical Association) më 5 prill 2021 hodhi poshtë çdo hije dyshimi mbi këtë çështje.
Studiuesit e Universitetit të Utah dhe Universitetit Stanford studiuan të dhëna nga një rrjet me:
24 spitale, dhe
215 klinika mjekësore, ku u trajtuan
107.796 persona me COVID-19 në total.
Asnjë grup gjaku nuk kishte diferencë për sa i përket:
infektimit nga SARS-CoV-2,
shtrimit në spital me COVID-19, dhe
shtrimit në terapi intensive.
As në analizën e kufizuar vetëm për racën e bardhë nuk u gjet asnjë diferencë ndërmjet grupeve të ndryshme të gjakut.
Autorët dalin në përfundimin e mëposhtëm:
Duke marrë parasysh kampionin e madh të studiuar, metodologjinë prospektive të studimit dhe rezultatet e forta nule, ne mendojmë se nuk ka gjasa që të ketë lidhje të rëndësishme ndërmjet SARS-CoV-2/COVID-19 me grupet e gjakut AB0.
Grupet AB0 të gjakut nuk janë faktorë të lidhur me cënueshmërinë nga sëmundja ose rëndesën e saj qoftë në nivel individual, qoftë në nivel popullate.
Pra, miqtë e mi, zbatoni masat, ruani veten, por të paktën mos u shqetësoni për grupin tuaj të gjakut!