Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka reaguar në një prononcim për Gazetën Express, pas akuzave të disa anëtarëve të LDK’së, të cilët janë pjesë e degës së parë të Prishtinës, ku ndër tjera thonë se ata nuk janë ftuar të marrin pjesë në procesin zgjedhorë.
“Unë dyshoj se ata janë partiakët e mi. Kuvendi i nëndegës, në të cilin unë fare skam marrë pjesë, e ka kryer punën ashtu si duhet. Kryesia e degës në mbledhjen e 10 majit, 2019, ka marrë vendim për formimin e një komisioni, i cili e përcjellë kuvendin zgjedhor” tha Beqiri.
Ai shtoi se procesi ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme, ndërsa ai e kupton se mund të ketë persona të cilët janë të pakënaqur të cilët nuk i takojnë nëndegës.
“Po ju them se procesi ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme, po ashtu mund të ketë individë të pakënaqur që si takojnë nëndegës. Pa marrë parasysh tentimin për zhurmë, procesi ka qenë i rregullt” tha ai.
Ismet Beqiri shtoi se ka persona të cilët pretendojnë ta dëmtojnë procesin e LDK’së, dhe kanë synim që ta dëmtojnë procesin zgjedhor brenda partisë.