Bashkimi Evropian ka hequr nga draftdeklarata e përbashkët me Kanadanë propozimin për një status të mundshëm si “anëtare e asociuar”, pas kundërshtimeve të disa vendeve anëtare, duke propozuar në vend të tij thellimin e marrëdhënieve mes dy palëve pa anëtarësim të plotë.
Sipas The Guardian dhe Reuters, drafti i ri parasheh që BE-ja dhe Kanadaja të punojnë për përcaktimin e konceptit të një “marrëdhënieje gjithnjë e më të ngushtë” deri në samitin e tyre të vitit 2027.
Propozimi për statusin e asociuar ishte paraqitur nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fjalimin e saj për gjendjen e Bashkimit muajin e kaluar. Megjithatë, nisma hasi në kundërshtime nga disa kryeqytete evropiane, përfshirë Berlinin, Parisin, Romën dhe Athinën.
Shqetësimet lidhen me faktin se statusi i “anëtarësimit të asociuar” nuk përcaktohet në traktatet e BE-së, ndërsa mbeten të paqarta implikimet e tij ligjore dhe mënyra se si Kanadaja do të mund të përfshihej në institucionet dhe proceset vendimmarrëse të unionit.
Gjermania ka kundërshtuar përdorimin e këtij termi, duke argumentuar se një status i tillë duhet të lidhet me vendet që synojnë anëtarësimin e plotë në BE, si Ukraina dhe Mali i Zi.
Ndërkohë, kryeministri kanadez, Mark Carney, ka theksuar se për vendin e tij rëndësi kanë përfitimet konkrete nga bashkëpunimi, e jo emërtimi i marrëdhënies me BE-në.
Samiti BE–Kanada mbahet në Montreal më 29 dhe 30 tetor, me synimin për të thelluar bashkëpunimin në tregti, energji, mbrojtje, lëndë të para kritike dhe teknologji digjitale.
Afrimi me Evropën është pjesë e përpjekjeve të Kanadasë për të diversifikuar partneritetet ekonomike dhe për të ulur varësinë nga Shtetet e Bashkuara, në një kohë tensionesh tregtare mes Otavës dhe Uashingtonit.
Indeksonline
