Baggio: E vuaj ende penalltinë e 1994-ës, nuk doja të transferohesha te Juventusi

Roberto Baggio rrëfeu një nga plagët më të mëdha të karrierës së tij; penalltinë e humbur në finalen e Botërorit 1994 ndaj Brazilit. Në një intervistë për “Corriere della Sera”, legjenda italiane tha: “U ndjeva fajtor karshi gjithë italianëve. Nuk kisha goditur kurrë një penallti mbi traversë. Ndjeja një turp të pafund, doja të zhdukesha. Me kalimin e kohës mëson të jetosh me të, por ajo plagë nuk mbyllet kurrë. E vuaj ende atë penallti”.

Baggio foli edhe për raportin me Arrigo Sacchi gjatë Botërorit: “Më tha se isha për Italinë si Maradona për Argjentinën, por më zëvendësoi kundër Norvegjisë. Maradonën nuk do ta hiqnin kurrë”. Për mungesën në Botërorin 2002 nga Giovanni Trapattoni, ai tregoi: “Kisha punuar çmendurisht, por më tha: Kam frikë se mund të lëndohesh”.

Ish-fituesi i “Topit të Artë” kujtoi edhe momentet më të vështira; dëmtimin e rëndë në gju kur ishte i ri dhe transferimin e debatueshëm nga Fiorentina te Juventusi në vitin 1990. “Nuk e doja transferimin, por ndihesha fajtor”, – tha ai. Në fund, Baggio theksoi rëndësinë e budizmit në jetën e tij: “Ishte streha ime dhe më dha forcë të mos dorëzohesha kurrë”.

 

The post Baggio: E vuaj ende penalltinë e 1994-ës, nuk doja të transferohesha te Juventusi appeared first on Telesport.