Qytetarët nuk kanë nevojë për propagandë, por për sigurime shëndetësore funksionale. Kështu ka deklaruar kandidati për deputet nga LDK-ja, Avdullah Hoti, duke reaguar ndaj njoftimeve të fundit të Qeverisë për Fondin e Sigurimit Shëndetësor.
Sipas Hotit, nuk përbën sukses shpallja e themelimit të një mekanizmi që është i paraparë me Ligjin për Sigurimin Shëndetësor që nga viti 2014. Ai theksoi se sukses i vërtetë do të ishte që qytetarët të hynin në spital me kartelë sigurimi shëndetësor në dorë, e jo të detyroheshin të paguanin nga xhepi për shërbimet mjekësore.
“Propaganda mund të krijojë tituj për një ditë, por nuk mund të fshehë faktin se pas pesë vitesh pushtet, sigurimi shëndetësor vazhdon të jetë premtim, jo realitet”, ka deklaruar Hoti.
Ai ka kujtuar se Fondi i Sigurimit Shëndetësor është paraparë me ligj prej më shumë se një dekade dhe se riemërtimi apo ripaketimi i tij nuk mund të paraqitet si arritje e re.
Hoti ka kërkuar sqarime nga Qeveria se pse sigurimet shëndetësore ende nuk janë funksionalizuar, kur do të nisë mbulimi i faturave shëndetësore përmes fondit dhe cilat shërbime e barna do të përfshihen në skemë.
Sipas tij, funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore do të ndikonte drejtpërdrejt në mirëqenien e familjeve kosovare, duke ua ulur shpenzimet për kujdes shëndetësor me rreth 100 euro në muaj, ose afërsisht 1,200 euro në vit.









