Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk e ka konsideruar pjesë të LDK-së, Vjosa Osmanin, kur u pyet nga Gazeta Express për pjesëmarrjen e saj si përzgjedhur e Lumir Abdixhikut në bisedimet me Albin Kurtin e Vetëvendosjes për formim të institucioneve. Hoti në përgjigjen e tij nuk i përshkroi legjitimitet brenda partisë së LDK-së dhe as përfaqësim.
“LDK-ja ka njerëz me përvojë dhe kontribut të madh në ndërtimin e institucioneve, të cilët e kanë përfaqësuar LDK-në në proceset më të rëndësishme shtetërore dhe procese të ndërtimit të institucioneve. Në procese të tilla, vetëm njerëzit me legjitimitet brenda partisë mund të përfaqësojnë LDK-në.
Vetëm përfshirja e figurave kyçe të partisë dhe respektimi i organeve vendimmarrëse të partisë e siguron legjitimitetin për vendimet që merren në procese të tilla. Në fund të fundit, LDK-ja duhet ta ndërtojë të ardhmen duke u mbështetur te njerëzit e saj,” tha Avdullah Hoti.








