“Autopsia” e plotë e dështimit të Brazilit, mbërriti i thyer në Botëror dhe nuk e gjeti kurrë rrugën…

Brazili nuk kishte nevojë të humbiste kundër Norvegjisë për të kuptuar se diçka nuk funksiononte. Humbja thjesht rregulloi të gjitha pjesët e katastrofës së një kombëtareje që erdhi e thyer në Botëror dhe që nuk e gjeti kurrë rrugën. Penalltia e humbur nga Bruno Guimarães, me gjithë sfondin që fsheh; goditja e dyfishtë e Haaland; mungesa e Vinicius më të mirë kur ndeshja e kërkonte më shumë; dhe vendimet e Carlo Ancelottit nuk e shpjegojnë të vetme eliminimin. Së bashku, ato vizatojnë autopsinë e një përfaqësueseje që përfundoi duke rënë kur Botërori ndaloi së faluri arnimet.

Shpjegimi i parë erdhi një orë pas ndeshjes. Vinicius e dinte që pyetja ishte e pashmangshme. Pse nuk e gjuajti ai penalltinë? Përgjigjja ishte e menjëhershme: “Trajneri vendos më parë se kush gjuan. Zgjodhi Brunon. Unë kurrë nuk i kam ikur përgjegjësisë”.

Numri 7 deshi të sqaronte se nuk ishte fshehur dhe se vendimi ishte marrë shumë kohë përpara se gjyqtari të tregonte pikën e penalltisë. Edhe Ancelotti e konfirmoi këtë version. Italiani shpjegoi se renditja e ekzekutuesve ishte përcaktuar para ndeshjes, pas analizimit të goditjeve të fundit të secilit futbollist. Një shpjegim në dukje logjik…, deri sa analizohen të dhënat: Bruno Guimarães kishte gjuajtur vetëm tri penallti gjatë gjithë karrierës së tij profesionale. As nuk ishte një specialist i zakonshëm e penalltive në klubet e tij.

Nga penalltia e polemizuese te “goditja” përfundimtare e Ronaldos
Ronaldo Nazário ishte ndër të parët që verbalizoi një pjesë të problemit: “Duhet të jem i sinqertë. Mendoj se ky eliminim fillon me vendimet nga stoli”. Kritika nuk mbaronte aty: “Carlo Ancelotti është një nga trajnerët më të mirë në histori, por sonte bëri shumë gabime”. Legjenda braziliane nuk e kuptoi as që João Pedro mbeti jashtë listës së grumbullimit, as që Endrick, “një futbollist që sa herë hynte sillte energji, agresivitet dhe paparashikueshmëri”, kaloi pjesën më të madhe të Botërorit në stol.

Me eliminimin, të gjitha problemet dolën në sipërfaqe. Kështu funksionon kjo botë. Por ta reduktosh dështimin vetëm te vendimet e trajnerit do të ishte shumë e thjeshtë. Brazili prej javësh tregonte simptoma që Norvegjia nuk vonoi t’i zbulonte. “Selecao” erdhi në Botëror e goditur nga dëmtimet, e detyruar të ndryshonte vazhdimisht strukturën dhe pa gjetur kurrë një formacion të qartë. Mungesa e Paquetá la një boshllëk të madh në ndërtimin e lojës, Raphinha ishte goditja përfundimtare dhe Neymar e kaloi gjithë turneun duke bashkëjetuar me një gjendje fizike që nuk i mjaftonte për të qenë në Botëror.

Figura e tij vazhdonte të ishte shumë e madhe për ta lënë jashtë, edhe pse trupi i tij nuk mund të mbante më atë rol që dikur e përballonte më mirë se kushdo. Për javë të tëra ai kushtëzoi planifikimin, zuri një hapësirë që mund të kishte shërbyer për të përshpejtuar tranzicionin dhe përfundoi duke u bërë më shumë problem sesa zgjidhje. Hyrja e tij në minutën e 67-të, duke parë gjendjen në të cilën ishte dhe me rezultatin 0-0…, pak njerëz mund ta shpjegojnë si vendim.

Shumë arna për të fituar një Botëror
Në fakt, vetë Ancelotti tha një nga frazat që shpjegon më mirë problemin në thelb: “Është mjaft e qartë se në mesfushë duhet të dalin lojtarë të nivelit, të rinj”. Më shumë sesa një reflektim për vitin 2030, tingëlloi si diagnozë e një të tashmeje dhe të ardhmeje shqetësuese. Brazili prej kohësh nuk po prodhon më mesfushorë të nivelit botëror, gjithçka që del nga akademitë e tij janë ekstremë të prerë nga i njëjti model.

Dhe Norvegjia e gjeti aty rrugën e fitores. Kishte më shumë topin, më shumë kontroll dhe më shumë qartësi për ta interpretuar ndeshjen. Kishte dyfishin e pasimeve (618 kundrejt 279) dhe 66% të posedimit për të kontrolluar “Canarinha”.

As Vinicius nuk i shpëtoi “autopsies”, megjithëse ndoshta është rasti më kompleks. Ai kishte bërë një Botëror të mirë, kishte qenë deçiziv (4 gola dhe 1 asist) dhe kishte marrë mbi supe peshën sulmuese të një ekipi që kishte vënë gjithçka te figura e tij. E provoi edhe kundër Norvegjisë, por këtë herë nuk e gjeti rrugën.

“Duhet të marrë përgjegjësinë e tij. Të gjithë e dimë sa i talentuar është, por kjo nuk ka qenë një Kupë Bote e mirë. Kur Brazili kishte më shumë nevojë për yjet e tij më të mëdhenj, ai nuk u imponua vërtet”, – shpjegoi Ronaldo. Prandaj eliminimi nuk mund të kuptohet si një shumë gabimesh të izoluara. Është fundi i një cikli që prej kohësh po jep shenja lodhjeje dhe ka nevojë për revolucion urgjent.

Që nga Botërori i Katarit, Brazili ka ndryshuar 4 herë trajnerin dhe ka fituar vetëm 20 nga 42 ndeshje. Rekord i papërshtatshëm për një përfaqësuese të mësuar të jetojë mes favoriteve. Prandaj ndjenja pas eliminimit në 1/8 ishte e qartë: është koha që brazilianët të zbresin në realitet dhe të ndalojnë së jetuari nga prestigji i fanellës së tyre.

The post “Autopsia” e plotë e dështimit të Brazilit, mbërriti i thyer në Botëror dhe nuk e gjeti kurrë rrugën… appeared first on Telesport.