Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka falënderuar votuesit e partisë së tij një ditë pas ditës së votimeve të 7 qershorit.
Në një postim në rrjetin social Facebook të hënën, kryeministri në detyrë nuk ka folur për fitore në zgjedhje edhe pse Vetëvendosje doli sërish parti e parë, por me mbi 100 mijë vota më pak sesa në zgjedhjet paraprake të 28 dhjetorit, 2025.
“Dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët që na pritën krahëhapur dhe pa asnjë hezitim e me të cilët ndamë përvojat dhe nevojat që kanë për të ecur edhe më shumë përpara. Ndonëse numërimi i votave ende nuk është përfunduar, unë falënderoj secilin votues, në Kosovë e mërgatë, që përmes zgjedhjeve demokratike, doli për të votuar dhe shprehu vullnetin e tij përmes votës”, ka thënë Kurti.
“Vazhdojmë të punojmë, krejt për shtet, sepse pa dyshim kemi shtet për krejt”, ka deklaruar ai.
Lëvizja Vetëvendosje prin me 42,91 për qind të votave në zgjedhjet e 7 qershorit, sipas rezultateve preliminare nga numërimi i votave.
Partia Demokratike e Kosovës mori 21,13 për qind si parti e dytë, ndërsa LDK doli e treta me 17,56 për qind të votave, bazuar në numërimin e deritashëm. /Paparaci.com








