Arrestohet shoferi për aksidentin me fatalitet në Studime, ishte në gjendje të dehur

Prokuroria Themelore në Mitrovicë e ka ndaluar të dyshuarin për shkaktim të aksidentit me fatalitet në rrugën magjistrale Mitrovicë-Prishtinë në orët e hershme të mëngjesit të enjten.

Ai është proceduar penalisht për veprën penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur”, sipas një njoftimi të Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, shoferi i dyshuar ishte në gjendje të dehur derisa e voziste veturën në shirtin e kundërt të rrugës në fshatin Studime të Vushtrrisë.

“I dyshuari mëngjesin e sotëm në fshatin Studime në magjistralen Mitrovicë – Prishtinë, në gjendje të dehur ka vozitur veturën në shiritin e kundërt të rrugës duke shkaktuar një aksident me një veturë tjetër, ku për pasojë një grua ka mbetur e vdekur”, tha Prokuroria.

“Ndërkaq shoferi dhe tre (3) pasagjerët kanë marrë lëndime serioze dhe po marrin tretman mjekësor ne QKUK”, sipas Prokurorisë.

Për personin e ndaluar, brenda afatit të paraparë ligjor, Prokuroria njoftoi se do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.