Ish-anëtari i mafias Gambino, John Alite, i cili ka pranuar se ka kryer gjashtë vrasje para se të zgjidhej anëtar i këshillit bashkiak në Englishtown të New Jersey-t, është arrestuar si i dyshuar për zhvatje, huadhënie me kamata të paligjshme dhe kërcënime me dhunë.
Sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit, Alite, 63 vjeç, akuzohet se u ka dhënë hua viktimave me interesa tepër të larta dhe i ka kërcënuar për të përfituar para dhe prona, sipas New York Times.
Prokurorja e Përgjithshme, Jennifer Davenport, deklaroi se Alite dyshohet gjithashtu se ka përdorur kompaninë e tij, Straightened-Out Entertainment, Inc., për të zhvilluar aktivitetin e tij kriminal.
Arrestimi i tij ka shkaktuar reagime në komunitetin lokal, pasi shumë banorë dhe zyrtarë kishin besuar se ai kishte lënë pas të kaluarën kriminale. Ndërkohë, avokati i Alite ka mohuar akuzat, duke deklaruar se klienti i tij është i pafajshëm dhe se do t’i kundërshtojë ato në gjykatë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet vazhdojnë, ndërsa pritet që çështja të shqyrtohet në javët e ardhshme nga gjykatat e New Jersey-t.







