Arrestohet i dyshuari për vrasjen e kryer në Lipjan në gusht të vitit 2022

Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar M. Gashi, i dyshuar për vrasjen e rëndë të D. Gashit, ngjarje kjo që kishte ndodhur më 5 gusht 2022 në Lipjan.

Sipas raportit shtesë të policisë, të mërkurën njësitë relevante policore kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë dy persona të dyshuar meshkuj kosovarë, lidhur me këtë rast.

Gjatë bastisjes në banesën ku ndodheshin të dyshuarit, policia ka gjetur dhe konfiskuar dy pistoleta me fishekë të kalibrave të ndryshëm, dokumente të ndryshme që dyshohet se ishin të falsifikuara dhe që përdoreshin për fshehjen e identitetit si dhe mashtrime ndaj qytetarëve.

Po ashtu, është sekuestruar edhe një sasi e substancave narkotike, për të cilën është hapur rast i veçantë nga njësia për hetimin e narkotikëve.

Me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.