Arrestohet i dashuri i Elvana Gjatës

Është arrestuar mbrëmjen e së shtunës në Ilha Bela të Brazilit, Ervin Mata.

Policia njofton se ai kishte përdorur dokumenta të falsifikuara angleze, për t’iu fshehur autoriteteve braziliane.

39-vjeçari akuzohet nga SPAK se ka koordinuar një grup kriminal për trafikimin e 240 kilogramëve kokainë në vitin 2020, në kuadër të një hetimi të gjerë ndërkombëtar me EUROJUST dhe EUROPOL.

Ai u kap në qytetin Ilha Bela gjatë operacionit “The Wanted”, pas shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tirana dhe Interpol Brasilia.

Grupi kriminal, me veprimtari në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe Europë, u hetua në kuadër të një procedimi penal të SPAK, në vitin 2023, në bashkëpunim me EUROJUST, EUROPOL dhe agjencitë ligjzbatuese të 6 shteteve.

Në fokus të hetimeve është edhe fakti se Mata fshihej duke përdorur dokumente identifikimi angleze të falsifikuara, të cilat i mundësuan lëvizjen dhe qëndrimin për një kohë të gjatë në Brazil pa u identifikuar.

Autoritetet dyshojnë se këto dokumente janë siguruar përmes rrjeteve kriminale ndërkombëtare, ndërsa tashmë po vijon bashkëpunimi mes strukturave ligjzbatuese për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.