Menu Close

Arlinda Sylaj Zekaj paralajmëroi institucionet tri ditë para vrasjes: Uroj të mos jepni llogari pasi të jetë marrë jeta ime

Vetëm tri ditë para se të vritej, Arlinda Sylaj Zekaj u kishte dërguar një letër institucioneve në Pejë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe duke paralajmëruar për rrezikun që, sipas saj, i kanosej jetës.

“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar 49-vjeçarja në letrën drejtuar kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë. Dokumenti mban vulën e pranimit të datës 22 tetor.

Në letër, Arlinda kërkonte zbatimin e një vendimi gjyqësor dhe hetimin e zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, të cilët, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave të tyre. Ajo pretendonte se institucionet po ia kalonin përgjegjësinë njëra-tjetrës, ndërsa rreziku për jetën e saj vazhdonte.

Megjithatë, tri ditë pas dërgimit të letrës, më 25 tetor, 49-vjeçarja u gjet e vrarë në shtëpinë e saj, në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, i cili, sipas Policisë së Kosovës, ndodhet ende në arrati.

May be an image of ticket stub and text

Sipas Policisë, ditën e ngjarjes, Arlinda kishte raportuar dhunë në familje në Stacionin Policor në Pejë. Bashkëshorti i saj ishte arrestuar dhe më pas ishte ndaluar për 48 orë, ndërsa ajo ishte dërguar në shtëpinë e saj me vullnetin e saj, sipas versionit zyrtar të Policisë.

Rreth orës 21:10, policia ishte njoftuar se 49-vjeçarja ishte gjetur pa shenja jete. Sipas informacioneve të publikuara nga autoritetet, dyshohet se ajo kishte vdekur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë.

Pas publikimit të letrës, Prokuroria Themelore në Pejë bëri të ditur se parashtresa e Arlindës ishte regjistruar për trajtim nga prokurori kompetent, me qëllim të vlerësimit të pretendimeve për përgjegjësi penale të zyrtarëve, përfshirë dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Rasti ka nxitur reagime publike dhe kërkesa për llogaridhënie nga institucionet që kishin përgjegjësi për trajtimin e rastit dhe mbrojtjen e jetës së saj.

Related Posts