Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka pritur në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe sfidat aktuale me të cilat po përballet Kosova.
Gjini ka vlerësuar lart mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj Kosovës, duke theksuar rolin e saj në ruajtjen e paqes dhe sigurisë përmes misionit të KFOR-it, si dhe kontributin në zhvillimin ekonomik përmes projekteve të ndryshme strategjike.
Sipas tij, takimi vjen në një periudhë të rëndësishme politike, në prag të zgjedhjeve, kur Kosova po hyn në një fazë vendimtare për përcaktimin e drejtimit të saj të ardhshëm.
“Mbështetja e aleatëve tanë perëndimorë është jetike për të garantuar procese demokratike, stabilitet dhe një rrugëtim të sigurt drejt integrimeve euroatlantike”, ka theksuar Gjini.
Ai ka shprehur mirënjohje për rolin e Italisë ndër vite, duke e cilësuar atë si një partner të palëkundur të Kosovës në momentet më të rëndësishme për vendin.









