Arbeloa ka dalë publikisht në mbrojtje të Kylian Mbappé në një nga momentet më të vështira të Real Madridit në vitet e fundit. Sulmuesi francez është vënë në shënjestër të tifozëve dhe mediave spanjolle për sjelljen e tij, ndërsa trajneri i tij deklaroi para sfidës ndaj Real Oviedo: “Nëse do të jetë i gatshëm, do të ketë minuta për ta treguar përkushtimin e tij ndaj këtij klubi”.
Mbappé nuk luan që prej 24 marsit, në transfertën ndaj Real Betis, për shkak të një problemi muskulor. Në Spanjë kanë bërë shumë bujë udhëtimi i tij në Sardenjë gjatë kampionatit, buzëqeshja pas debatit mes Tchouaméni dhe Valverde, si edhe një “story” në Instagram gjatë humbjes në “El Clasico” ndaj Barcelonës.
Madje, një pjesë e tifozëve kanë kërkuar largimin e tij përmes peticioneve në rrjetet sociale. Arbeloa u përpoq ta ulte tensionin: “Mbappé ka dhënë gjithmonë 100%, përndryshe nuk do të kishte arritur këtu ku është. Si madridist, para se të jem trajner, dua të vazhdoj ta shoh duke bërë atë që di më mirë, të shënojë”.
Pavarësisht 24 golave në La Liga, francezi është kthyer në simbolin e një sezoni pa trofe për Real Madridin. Tri ndeshjet e fundit pritet të tregojnë nëse marrëdhënia e tij me “Bernabéu” është thjesht në krizën e parë apo tashmë e dëmtuar seriozisht.
The post Arbeloa mbron Mbappé: Ka dhënë gjithmonë 100%, kot nuk ka arritur këtu ku është appeared first on Telesport.









