Edhe një ambasador i rëndësishëm është deklaruar kundër projektligjit për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka kundërshtuar projektligjin, nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social Twitter, duke thënë se ndan mendimin me homologun e tij amerikan, Philip Kosnett.
Ambasadori amerikan ditë më parë kishte thënë se projektligji “e kriminalizon lirinë e shprehjes, frikëson qytetarët dhe është i kushtueshëm. Ligji largon nga përpjekjet praktike për ta kuptuar dhe mësuar historinë e Kosovës”.
Ndërkaq, Rohde ka shkruar se pajtohet me Kosnettin, teksa ka bërë thirrje për mbrojtjen e lirisë së shprehjes.
“E ndaj mendimin me kolegun tim amerikan për këtë projektligj. Në një shoqëri demokratike, rrallë është ide e mirë që të shtypen diskutimet duke i kufizuar ato nëpërmjet një ligji penal”, është shprehur ai.
I share the assessment of my US colleague on this draft law. In a democratic society it was and it is seldom a good idea to try to stifle discussions by limiting them through criminal law #freedomofspeech https://t.co/5QomUchiEg
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) August 6, 2020