Ambasada britanike reagon pas dekretetimit të dorëheqjeve të prokurorëve serbë

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka reaguar lidhur me rastin e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë të dorëhequr nga institucionet e Kosovës, në vitin 2022.

Reagimi i saj vjen pasi që ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka dekretuar dorëheqjet e shtatë prokurorëve serbë, pasi paraprakisht kthimi i tyre në institucionet e drejtësisë u refuzua nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Ambasada britanike në një reagim ka bërë thirrje për riintegrimin e serbëve në sistemin e drejtësisë, duke shprehur shqetësimin për zhvillimet e kësaj jave.

“Mbretëria e Bashkuar e mirëpriti Marrëveshjen për Drejtësinë të vitit 2015, e cila integroi strukturat e veriut të Kosovës në kuadrin ligjor të Kosovës, duke garantuar njëkohësisht përfaqësim të konsiderueshëm për serbët e Kosovës, dhe i konsideroi dorëheqjet masive të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ në vitin 2022 si një hap prapa, që dëmtoi interesat e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në një postim të ambasadës britanike në Facebook.

Ambasada e britanike ka vlerësuar se me riintegrimin e serbëve në sistemin e drejtësisë forcohet besimi i publikur në institucionet e vendit.

“Ne e kemi mirëpritur reagimin e kahershëm të organeve përkatëse profesionale, të cilat e kanë njohur rëndësinë e ruajtjes së besimit të të gjitha komuniteteve në Kosovë ndaj sistemit të drejtësisë, dhe për këtë arsye jemi të shqetësuar nga zhvillimet e kësaj jave. Ne bëjmë thirrje për integrimin e popullsisë shumetnike të Kosovës në sistemin e drejtësisë, në mënyrë që të forcohet besimi i publikut në institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë”, thuhet në reagim.