Aleanca, partia që tashmë e drejton nga Ardian Gjini, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe ka akuzuar pushtetin për keqqeverisje, nepotizëm dhe mungesë të llogaridhënies institucionale.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Aleanca ka vënë në pah problemet me furnizimin me energji elektrike, duke pretenduar se qytetarët po përballen me reduktime të rrymës, ndonëse vetëm gjatë pesë ditëve të punës janë shpenzuar mbi 11 milionë euro për import të energjisë elektrike.
Sipas kësaj partie, shpenzimet e mëdha për import, të shoqëruara me mungesën e furnizimit të rregullt, rrezikojnë të përkthehen në kosto shtesë për qytetarët përmes rritjes së tarifave të energjisë elektrike.
Një tjetër çështje që Aleanca e ka kritikuar është emërimi i personave në pozita diplomatike. Partia ka ngritur pretendime për nepotizëm në shërbimin e jashtëm, duke përmendur emërime të familjarëve të zyrtarëve të pushtetit në ambasadat e Kosovës. Në këtë kontekst, ka kritikuar edhe deklaratat e ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca, lidhur me procedurën e nënshkrimit të emërimeve.
Aleanca ka akuzuar gjithashtu deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për shmangie të llogaridhënies në Kuvend, duke përmendur largimin e tyre nga salla gjatë diskutimeve për gjetjet e Raportit të Auditorit të Përgjithshëm, si dhe bllokimin e raportimit para Komisionit Hetimor Parlamentar nga Zyra e Kryeministrit.
Në reagim është përmendur edhe Raporti i Progresit i Bashkimit Evropian, përmes të cilit, sipas Aleancës, është evidentuar mungesa e përparimit në sistemin e drejtësisë dhe janë ngritur kritika për luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë.
Ndërkaq, Aleanca ka kritikuar krerët institucionalë për heshtjen përballë protestave në Prishtinë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë. Aleanca ka kërkuar përgjegjësi politike, duke përmendur thirrjet për dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Në përfundim të reagimit, Aleanca ka vlerësuar se qeverisja aktuale ka humbur ndjeshmërinë ndaj shqetësimeve të qytetarëve dhe legjitimitetin për të udhëhequr vendin.
