Albena Reshitaj i është bashkuar Vjosa Osmanit në garën për zgjedhjet e 7 qershorit.
Lajmin e bëri të ditur vetë ish-presidentja përmes një postimi në Facebook.
“Një bashkëpunim i filluar më shumë se një dekadë më parë, e i ndërtuar mes sfidash e suksesesh të përbashkëta, po vazhdon edhe sot. Prof.asoc.dr. Albena Reshitaj, ish ministre, deputete në 4 mandate, e mbi të gjitha një grua parimore dhe me bindje politike të qëndrueshme, ka dëshmuar vazhdimisht se nuk dorëzohet para asnjë sfide apo kërcënimi, kur është në pyetje mbrojtja e interesit të Kosovës”, ka shkruar Osmani në Facebook.
“Kur u zgjodha Presidente në vitin 2021, me votën e saj vendimtare, Albena krijoi kuorumin e nevojshëm dhe bllokoi rolin e Listës serbe në krijimin e institucioneve, pa asnjë interes personal e pa kërkuar absolutisht asgjë!”
Osmani tha se Reshitaj e ka dëshmuar shumë herë se “politika mund të ndërtohet mbi dinjitet, integritet dhe vizion për Kosovën, e gjithnjë e palëkundur para atyre që nuk e njohin Kosovën si dhe para atyre që dojnë të shkatërrojnë gjithçka që është ndërtuar me sakrificë”.
“Kosova ka nevojë për njerëz që dijnë të punojnë bashkë, e jo për të tillë që dojnë të shkatërrojnë njëri-tjetrin”, vijon postimi i Osmanit.








