Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini ka deklaruar se Kosova është e infiltruar nga shërbimet sekrete armike deri në ndikim në majat e pushtetit.
Në një shkrim në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se kjo tashmë është evidente.
“Spiunët tanimë edhe të arrestuar, sikurse ky Fehim Sali, janë me qasje në zyrat më të larta shtetërore dhe po ndikojnë drejtpërdrejt në zbehjen e shtetit dhe demokracisë. Kanë arritur të influencojnë në nivele kritike.”, ka shkruar Gjini.
Ai ka thënë se këta persona janë futur në sistem dhe mbështeten nga shumë persona tjerë, qoftë edhe nëpërmjet rrjeteve sociale.
“Përpos që janë futur në sistem, ata mbështeten nga falangat e rrjeteve sociale, false dhe të vërteta, e që kanë qëllime të qarta: Ta fragmentojnë shoqërinë deri në qëllimin e konfliktit të brendshëm. Ta ndotin historinë dhe tregimin tonë, duke relativizuar rolin dhe duke i mohuar cilatdo vlera që krijojnë tregimin e një populli dhe e rrisin patriotizmin, nga Skënderbeu te Adem Jashari e cilado figurë historike e popullit tonë. Ta mbysin çdo prospekt të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Ta paraqesin Kosovën si një vend mosmirënjohës dhe skeptik ndaj popujve dhe vendeve mike. Ta sjellin një masë të madhe të qytetarëve në pikën më të ulët të shpresës për të ardhme më të mirë në vendin e vet. Ta bëjnë popullin mohues ndaj të arriturave të veta, deri në heqjen dorë nga shpresa.”, ka shkruar tutje ai.
Ai ka thënë se ky është qëllimi i shërbimeve armiqësore dhe ky kurs po ndiqet tash e shumë vite, sipas tij, nga brenda sistemit dhe përmes luftës hibride, kryesisht propagandës elektronike.
“Një i arrestuar për spiunazh si Fehim Sali, i cili ishte emëruar edhe në Këshillin Konsultativ për Komunitete, duhet të ngrinte pyetjen kryesore: Edhe sa spiunë të tjerë mund të jenë të emëruar në majat e pushtetit?”, ka shkruar kreu i Aleancës. /









