Aksident i rëndë në Doberllukë të Vushtrrisë, gjashtë të lënduar

 

Policia e Kosovës ka njoftuar për një aksident të rëndë ndërmjet tri veturave në rrugën Mitrovicë-Prishtinë, më saktësisht në fshatin Doberllukë të Vushtrrisë.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Ilmi Prekazi, ku ka thënë se pesë të lënduar janë dërguar në QKUK.

“Sot, më 18.05.2026, rreth orës 11:50, në rrugën Mitrovicë–Prishtinë, saktësisht në fshatin Doberllukë të Vushtrrisë, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime të rënda trupore. Në aksident janë përfshirë tri automjete me targa civile vendore. Deri më tani, gjashtë persona kanë pësuar lëndime, ndërsa njëri nga drejtuesit e automjeteve ka pësuar lëndime të rënda trupore”, ka thënë Prekazi.

“Personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit në Vushtrri, ndërsa pesë prej tyre janë dërguar për trajtim të mëtejmë në QKUK. Njësitë përkatëse policore janë duke u marrë me hetimin e rrethanave të aksidentit”, ka shtuar ai.