Ish-ministrja për Integrimin Evropian, Mimoza Ahmetaj, ka vlerësuar se vizita e ministrit të Jashtëm të Francës në Kosovë është një sinjal i rëndësishëm politik, por ka theksuar se mesazhet që erdhën nga Parisi dhe Bashkimi Evropian ishin të qarta.
Duke folur në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Ahmetaj tha se kishte pritur që vizita të sillte një përgjigje konkrete ndaj kërkesave që kryeministri Albin Kurti kishte paraqitur gjatë takimit me ministrin francez në tetor të vitit të kaluar, përfshirë edhe kërkesën që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Sipas saj, megjithëse nuk pati një përgjigje të drejtpërdrejtë për këtë çështje, kërkesat e vazhdueshme nga shtetet anëtare të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe përshpejtimin e reformave nuk përbëjnë risi.
Ahmetaj tha se pjesa që i tërhoqi më së shumti vëmendjen ishte thirrja për ruajtjen e pluralizmit politik në Kosovë.
Ajo që mua personalisht ma tërhoqi vëmendjen ishte një kërkesë që të ruhej pluralizmi politik në Kosovë. Domethënë është hera e parë që në një dokument apo në një deklaratë të një zyrtari të lartë evropian e dëgjoj dhe e shoh si fjali të tillë për më tepër që Kosova edhe në kushtetutën e vet dhe në të gjitha ligjet në fuqi e ka të garantuar pluralizmin politik është republikë parlamentare dhe ne në asnjë moment një gjë të tillë nuk e kemi pasur të kërcënuar. Prandaj ma tërhoqi shumë vëmendjen fjalia e tillë dhe më intrigoi për ta kuptuar më tepër se çka në të vërtetë do të thotë. Përveç të gjitha deklaratave ajo e cila është e rëndësishme për neve janë pesë marrëveshjet e nënshkruara përkrahja e vazhdueshme që Franca ja jep Kosovës dhe sidomos ai 60 milionshi i cili përfshihet në të gjitha projektet në kuadër të marrëveshjeve të nënshkruar dhe presim të shohim se si do të implementohen”, u shpreh ajo.
Sipas Ahmetajt, fondet franceze do të mbështesin projekte në sektorët e energjisë, arsimit dhe organizimit të Lojërave Mesdhetare, duke ofruar një lehtësim financiar dhe institucional për Kosovën, pavarësisht humbjes së fondeve evropiane./Klankosova.tv







