Lumir Abdixhiku ka vazhduar aktivitetet elektorale në Istog, ku ka zhvilluar një takim me gratë e kësaj komune, pas vizitave të mëhershme në rajonin e Llapit dhe Drenicës.
Përmes një postimi publik, Abdixhiku tha se në këtë takim është diskutuar për sfidat dhe pabarazitë me të cilat përballen gratë në Kosovë, duke përmendur pengesat në punësim, avancim dhe përfaqësim.
Ai theksoi se shumë gra vazhdojnë të mbajnë barrë të padrejtë shoqërore, derisa shtoi se shteti nuk duhet të jetë spektator ndaj këtyre padrejtësive, por garantues i mundësive të barabarta.
Sipas Abdixhikut, një shoqëri që kërkon nga gratë të jenë shtyllë e familjes, ekonomisë dhe jetës shoqërore, nuk mund t’u ofrojë më pak mbështetje dhe më pak hapësirë.
“Nuk mund të ketë zhvillim të plotë pa barazi të plotë”, ka deklaruar ai.









