Kërkesa e familjes Dehari që ekspertiza e vdekjes së djalit të tyre, Astritit të bëhet në Zvicër, është marrë parasysh nga Ministria e Drejtësisë. Kjo e fundit ka dërguar kërkesë në Prokurorinë Themelore në Prizren, ku edhe i mbetet asaj që t`i kryejë procedurat sa i përket angazhimit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lausanne të Zvicrës.
Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi. Sipas tij, Themelorja në Prizren do e bëjë punën ndërlidhëse me institutin zviceran.
“Ende nuk ka një përgjigje të saktë. Ministria e Drejtësisë e ka dërguar një kërkesë në Prizren dhe prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren do t’i kryej procedurat sa i përket angazhimit të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lausanne siç është përcaktuar në bazë të kërkesës së familjes Dehari. Përgjigje tjetër nuk ka deri tani. Prokurori do e kryejë pjesën ndërlidhëse me Institutin zviceran”, ka thënë Gashi.
Tutje, avokati ka sqaruar se varet nga bashkëpunimi mes prokurorisë dhe Qendrës së Institutit të Mjekësisë Ligjore se si do të veprojnë më tej.
Gashi sërish ka deklaruar se për të dhe familjen Dehari do të jetë i pranueshëm rezultati i ekspertizës zvicerane.
“Pas kësaj, ato janë çështje teknike të bashkëpunimit të tyre dhe ata në bazë të ligjit për bashkëpunim ndërkombëtarë, do i gjejnë procedurat si të angazhohen, është çështje teknike. Çdo ditë e humbur është e tepërt sepse veç kanë kaluar më tepër se 1 vit e dy muaj dhe do të duheshin që sa më shpejtë të nisin me hetime të pavarura, ekspertiza të pavarura që njëherë e përgjithmonë të përfundojë ky rast sa i përket aspektit juridik”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, Astrit Dehari ka vdekur në burgun e Prizrenit më 5 nëntor të vitit 2016. Ai bashkë me aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adea Batushën, Atdhe Arifin, Egzon Halitin, Petrit Ademin dhe Frashër Krasniqin po hetoheshin nën dyshimin se kishin organizuar dhe kryer sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit 2016./Indeksonline/