Trump: Nuk ka negociata dhe bisedime me Iranin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump ka deklaruar të martën se aktualisht nuk ka bisedime dhe as negociata të planifikuara me Iranin.

Trump tha se bllokada detare amerikane ndaj Iranit mbetet në fuqi, ndërsa pretendoi se ngushtica e Hormuzit është e hapur dhe se minat detare janë hequr ose shpërthyer, raporton CNN, \.

Një ditë më herët, Trump kishte deklaruar për Fox News se administrata e tij kishte krijuar një kanal të fshehtë komunikimi me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), duke thënë se palët po komunikonin përmes këtij kanali.

Megjithatë, IRGC ka mohuar se po zhvillohen bisedime të tilla me ShBA-të, ndërkohë, i dërguari i posaçëm amerikan Jared Kushner kishte deklaruar një ditë më parë se komunikimi mes ShBA-së dhe zyrtarëve iranianë ishte më intensiv se më parë.

Deklaratat vijnë në një kohë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa marrëveshja e përkohshme 60-ditore mes dy vendeve ka skaduar pa një marrëveshje të re.