Sot nis Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Në Prishtinë ka nisur sot, edicioni i 44-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, një prej ngjarjeve më të rëndësishme shkencore e kulturore kushtuar albanologjisë.

Përgjatë dy javëve, Seminari do të mbledhë në Prishtinë studiues, profesorë, studentë dhe pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, duke ofruar një program të pasur me aktivitete shkencore, akademike dhe kulturore.

Programi i këtij edicioni përfshin kurse intensive të mësimit të gjuhës shqipe, ligjërata nga fusha e gjuhësisë dhe letërsisë shqiptare, si dhe tema të ndryshme që lidhen me fushat e albanologjisë. Në kuadër të Seminarit do të zhvillohen gjithashtu tryeza dhe referime shkencore, ligjërata të përgjithshme, diskutime akademike dhe aktivitete të shumta kulturore.

Pjesë e programit do të jenë edhe vizitat në vende të ndryshme të Kosovës, përmes të cilave pjesëmarrësit do të kenë mundësi të njihen më nga afër me trashëgiminë kulturore, historinë dhe jetën kulturore të vendit. /