Adriatik Rraci diplomon në programin prestigjioz FIBA NXT Leaders

Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe Drejtori i Përfaqësueseve, Adriatik Rraci, ka diplomuar me sukses në programin prestigjioz FIBA NXT Leaders, të dedikuar për zhvillimin e liderëve të basketbollit.

Rraci ishte një nga vetëm 25 pjesëmarrësit e përzgjedhur nga më shumë se 50 kandidatë nga e gjithë bota.

Programi përfshiu tri sesione, duke nisur në Doha të Katarit, për të vazhduar në Majami të SHBA-së dhe për t’u përmbyllur në Zvicër me ceremoninë e diplomimit.

Në ceremoninë përmbyllëse, Rraci pranoi certifikatën nga Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, Andreas Zagklis, duke përmbyllur me sukses këtë program ndërkombëtar të zhvillimit profesional.

Diplomimi i Rracit përbën një tjetër hap të rëndësishëm në avancimin profesional të stafit të FBK-së dhe një dëshmi të përfaqësimit gjithnjë e më të madh të basketbollit kosovar në programet prestigjioze ndërkombëtare të FIBA-s.