Instituti GAP ka vlerësuar se niveli i transparencës buxhetore në komunat e Kosovës është përmirësuar gjatë vitit 2025, krahasuar me vitin paraprak.
Sipas vlerësimit, 50 për qind e komunave kanë arritur të marrin mbi 90 pikë në indeksin e transparencës buxhetore, ndërsa 11 komuna kanë marrë pikët maksimale, 100.
Megjithatë, performanca nuk ka qenë e njëjtë në të gjitha komunat. Gjashtë prej tyre: Kllokoti, Leposaviqi, Parteshi, Shtërpca, Zubin Potoku dhe Zveçani – nuk kanë arritur të marrin asnjë pikë.
Hulumtuesja në Institutin GAP, Albana Rrukolli, ka thënë se gjysma e komunave kanë shënuar rritje të ndjeshme të transparencës, ndërsa pjesa tjetër vazhdon të ketë nivel më të ulët.
Sipas saj, një ndër problemet që ka ndikuar në rezultatet e komunave është mos publikimi i dokumenteve në platformat përkatëse.
Për përmirësimin e mëtejmë të rezultateve, sipas GAP-it, komunat duhet të sigurojnë kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe të organizojnë më shumë takime me qytetarët, përfshirë dëgjimet buxhetore.









