Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor të ministrisë kompetente, ka realizuar një inspektim në një lokacion në Prishtinë, nën dyshimet për ushtrim të veprimtarisë në fushën e ortoprotetikës pa licencën përkatëse.
Sipas Policisë, gjatë inspektimit është konstatuar dyshimi se në këtë lokacion po ofroheshin shërbime shëndetësore në kundërshtim me dispozitat ligjore. Për këtë arsye, Inspektorati Shëndetësor ka ndaluar ofrimin e këtyre shërbimeve.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit dy persona të dyshuar, shtetas të huaj, janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.
Pas përfundimit të procedurave, me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.









