Dy persona kanë rënë në pranga mbrëmjen e djeshme në Shkodër, pasi u kapën duke transportuar fidanë Cannabis Sativa të mbjellë në kubikë.
Sipas raportimeve të policisë, në pranga kanë rënë S. L., 23 vjeç, dhe N. P., 29 vjeç, të cilëve në furgonin me të cilin po lëviznin iu gjetën 2 500 fidanë Cannabis Sativa, shkruan Euronews.al, \.
“Si rezultat i patrullimeve, punës informative dhe asaj operacionale, për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” konstatuan në afërsi të fshatit Hajmel, një automjet (furgon) me ngarkesë të dyshimtë. Automjeti u ndoq deri në Vaun e Dejës, ku u ndalua për kontrolle.
Nga kontrollet u gjetën në të, disa kuti kartoni me kubikë me 2500 fidanë të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa.
Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Kutitë”, u arrestuan në flagrancë shtetasit që transportonin me furgon, kubikët, me qëllim kultivimin, S. L., 23 vjeç, banues në Shkodër, dhe N. P., 29 vjeç, banues në fshatin Mali i Jushit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.









